TIRANE-Me një distinktiv policie në dorë e kishin më të lehtë hyrjen në klubet e zonës së ish-Bllokut në kryeqytet dhe më pas të shisnin dozat e pluhurit të bardhë. Kështu vepronin dy personat që u arrestuan sot nga Policia në sajë të një operacioni të koduar ‘Bear’.
Klodjan Stafa dhe Bashkim Ndreu u vunë në pranga në flagrancë teksa prisnin të shkëmbenin mallin. Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar 300 gramë kokainë, 5 aparate celularë, një distinktivi dhe një sasi të konsiderueshme parash që ishin fituar nga shitja e kokainës. Burimet bëjnë të ditur se, doza e kokainës shitej nga 90 deri ne 120 euro, ndërsa klientët që e blinin ishin kryesisht persona të njohur publik por dhe të rinj të organizuar në festa në lokalet e zonës së ish-Bllokut. Vlera e kokainës së sekuestruar ditën e sotme kap vlerën e 24 mijë eurove. “Policia shpejt, shpejt në tokë. Hapi këmbët mor, urgjent!” Këto ishin fjalët e efektivëve të policisë teksa nxjerrin më forcë nga automjeti tip Benz ngjyrë e kuqe dy djem. Të dy personat kanë qënë në makinë Mercedez Benz pranë zonës së Zogut të Zi në kryeqytet dhe do të shkëmbenin një sasi droge. Pikërisht në këtë moment një furgon i forcave “Shqiponja” dhe dhjetra policinë kanë rrethuar makinën, duke vënë në pranga dy shpërndarësit. Fillimisht furgoni i Forcave Shqiponja i ka bllokuar rrugën makinës, ndërsa më pas janë afruar edhe oficerët e tjerë për të bërë arrestimin. Ditën e sotme, specialistët e Seksionit për hetimin e Narkotikëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Skuadrën Shqiponjat, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: – Klodian Stafa, 35 vjeç, banues në Tiranë – Bashkim Ndreu, 33 vjeç, banues në Tiranë Nga informacionet e marra në rrugë operative, nga Specialistët e Narkotikës, mësohet se Klodian Stafa e Bashkim Ndreu ushtronin aktivitetin e kundra ligjshëm të shpërndarjes së lëndëve të dyshuara narkotike të llojt “Kokainë”, në lokale të ndryshme të natës së Kryeqytet, kryesisht në zonën e ish Bllokut. Ditën e sotme është arritur të finalizohet operacioni “Bear”, pasi këta shtetas do bënin shkëmbimin e një sasie lënde të dyshuar narkotike në zonën e Zogut të Zi, në momentin që janë afruar shërbimet kanë konstatuar të dy shtetasit e lartë përmendur në brendësi të automjetit tip “Mercedes Benz” dhe kanë bërë ndalimin e tyre të menjëhershëm. Bashkim Ndreu, duke përdorur një portofol të dyshuar si ai i policisë, prezantohej si një punonjës policie, me qëllim shmangien e kontrolleve nga shërbimet policore. Nga kontrolli i ushtruar këtyre shtetasve është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të: – 301 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojtë”Kokainë” – 5 aparate telefonik të llojeve të ndryshme – 1 portofol i dyshuar si ai i policisë – 90.000 Lekë – 100 Euro – 1 automjeti i tipit “Mercedes Benz” Ndërkaq po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim.