Kolapsi i rrjetit hekurudhor, draft për liberalizimin e shërbimit

Kodi i ri hekurdhor do të liberalizojë shërbimin në këtë sektor. Në komisionet parlamentare ka mbërritur drafti i qeverisë, i cili e hap tregun drejt operatorëve privatë. Këta të fundit do të kenë mundësi që të shfrytëzojnë linjat hekurudhore, për transport pasagjerësh ose mallrash, kundrejt detyrimeve që do të përcaktohen nga shteti. Projektligji është pjesë e planit kombëtar të integrimit europian 2016-2020. Ai parashikon ngritjen e një Enti Rregullator për Hekurudhat dhe të një autoriteti, i cili do të merret me sigurinë. Ky i fundit do të hetojë rastet e aksidenteve, por edhe do të studiojë gjendjen e hekurudhës, duke dhënë rekomandimet përkatëse. Po ashtu, i gjithë personeli duhet të certifikohet me licenca sipas standadeve europiane. Ndryshimet ligjore vijnë në një moment, kur hekurudha shqiptare gjendet në kushte mjaft të vështira. Problemet financiare dhe mungesa e investimeve të rëndësishme e kanë çuar këtë lloj transporti pothuajse në kolaps të plotë. Për momentin, vetëm për modernizimin e linjës Tiranë-Durrës, me një degëzim Aeroportin e Rinasit, janë siguruar fondet nga Bashkimi Europian dhe BERZH. Investimi shkon në 86.4 milionë euro dhe parashikon ndërhyrje në trase dhe blerjen e lokomotivave dhe vagonëve.

Artikulli paraprakPLAN ARRATISJEJE NE ZVICER,ARRESTOHET NE ITALI SHQIPTARI I KERKUAR PER DROGE
Artikulli tjetërMBROJTJA E FEMIJEVE,GJOBE E MESUESVE QE NUK RAPOROJNE DHUNEN