Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për t’u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit, duke lënë kështu në fuqi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Pas zhdekretimit të kësaj date nga Presidenti Meta, partia e drejtuar nga Idajet Beqiri i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta çregjistronte nga kjo garë, duke e hequr PUK dhe nga fleta e votimit. Kërkesë kjo që nuk u pranua nga KQZ dhe për këtë arsye Beqiri e ankimoi pranë Kolegjit.
Edhe pse nuk u shpreh drejtpërdrejt për dekretin e Presidentit, përmes këtij vendimi, Kolegji Zgjedhor i dha përgjigje dhe debatit mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të kreut të shtetit, për anulimin e zgjedhjeve.
Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit.
Në seancën e sotme në Kolegjin Zgjedhor Beqiri deklaroi pamundësinë e interpretimit të një dekreti, pasi sipas tij, akti i Presidentit është një akt individual administrativ.
Nga ana e tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe në Kolegj argumentoi vendimin se dekreti i Presidentit është një akt administrativ i pavlefshëm dhe nuk sjell asnjë vlerë juridike. Për pasojë, sipas KQZ, kërkesa e PUK është e pabazuar në ligj dhe cenon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Gjata parashtrimit të padisë së tij, kreu i PUK, Idajet Beqiri u shpreh: “Jemi njohur me dekretin e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor. Ne nuk kemi qenë dakord, për shkak se ishte në kufirin fundor të afatit për zgjedhje.
Gjithsesi ne morëm të gjitha masat në strukturat e partisë. U regjistruam si subjekt zgjedhor. Ne nuk kemi marrë asnjë lek nga buxheti i shtetit. Ne ishim të bindur që në 30 qershor do bëheshin zgjedhjet. Por pak ditë më parë u njohëm me një dekret të ri të Presidentit, i cili zhdekretonte datën e zgjedhjeve. Nuk u caktua një datë tjetër.
Ndodhur në këtë situatë, kur pamë dhe që ky dekret u botua në Fletore Zyrtare, duke pasur qëllim unitetin kombëtar, pamë që ky unitet u cenua rëndë. Nga një anë KQZ thotë që do ketë zgjedhje, ndërsa Presidenti jo, partia dhe elektorati ynë u vu në një situatë absurde. Duket sikur po luftonim me mullinjtë e erës.
Dikush mendoi të shkonim në Kushtetuese, por Kushtetuesja në vendimin nr.150, të Partisë Forca Rinia, është shprehur se nuk është kompetente e shqyrtimit. Ne duam të mos marrim pjesë dhe duam që Partia e Unitetit Kombëtar të hiqet nga fleta e votimit”.
Ndërsa Olsi Peto, përfaqësues i KQZ kërkoi rrëzimin e kërkesës dhe lënien në fuqi të vendimit të KQZ. “Ne i qëndrojmë vendimit tonë. KQZ ka miratuar fletët e votimit për 61 bashkitë dhe ka përfunduar printimi i fletëve të votimit. KQZ vlerëson se derisa Partia e Unitetit Kombëtar është e regjistruar në zgjedhje, ligjërohet të ankimojë në KQZ. Shfuqizimi i dekretit është në shkelje të Kushtetutës.
Akti administrativ i pavlefshëm nuk sjell asnjë vlerë juridike. KQZ ka detyrim të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ, dekretit të Presidentit. Për KQZ ky dekret nuk ekziston”, tha ai. “KQZ vlerëson se kërkesa e PUK është e pabazuar në ligj dhe cenon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Legjislacioni nuk parashikon raste të çregjistrimit. Kaq pak ditë para zgjedhjeve është e pamundur objektivisht që KQZ të ndërmarrë një procedurë të re prokurimi dhe riprintimi të fletëve të votimit. Nga ana tjetër kjo do të krijonte dhe një precedent që mund të përsëritej”.