Vendimi i KQZ – Kolegji Zgjedhor pushon gjykimin për Tahirin: S’kemi kompetenca
Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen dhe shpalli moskompetencën për ankimimin e ish-deputetit Dashamir Tahiri, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimit të KQZ për heqjen e mandatit të deputetit. “Çështja do të dërgohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë për shqyrtim”, tha avokati. Në seancën e ankimimit ishin të pranishëm përfaqësues të KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa Tahiri përfaqësohet nga avokati i tij. Relator i çështjes ishte Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të Kolegjit janë Gjin Gjoni, Ridvan Hado, Shkelqim Mustafa dhe Sotiraq Lubonja. Avokati i Dashamir Tahirit deklaroi se dënimi i klientit të tij është marrë në mungesë dhe ai është vënë në dijeni kur është marrë Prokuroria. “Ky vendim është i falur ne 2006. Ndërkaq vendimi i KQZ është marrë me një shumicë të thjeshtë dhe duhet të ishte marrë me shumicë të cilësuar” shtoi ai. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e KQZ-së tha se Kolegji Zgjedhor nuk është kompetent për të shqyrtuar këtë kërkesë. “Dashamir Tahiri nuk legjitimohet të vërë në lëvizje Kolegjin Zgjedhor”. Ndërsa përfaqësueja e Prokurorisë kërkoi që të mos përfshihen si palë e interesuar.