Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos ka vendosur të zgjasë armëpushimin me rebelët e FARC deri në fund të këtij viti, ndërkohë që palët do të bisedojnë sërish për ringjalljen e marrëveshjes së paqes.
Akordi historik që u arrit muajin e kaluar, u hodh poshtë në një referendum kombëtar. Megjithatë, si Santos, ashtu edhe lideri i rebelëve të FARC, kanë shprehur besimin e tyre se marrëveshja do të shpëtohet dhe në Kolumbi do të mbizotërojë paqja dhe progresi. Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos ka zgjatur armëpushimin me rebelët e FARC deri në fund të këtij viti, për t’i dhënë më shumë kohë përpjekjeve për të shpëtuar marrëveshjen e paqes. Akordi i nënshkruar edhe nga rebelët e krahut të majtë muajin e kaluar, u refuzua nga populli kolumbian në një referendum. Gjatë këtyre ditëve, presidenti Santos është takuar me persona të cilët zhvilluan një fushatë kundër marrëveshjes, ndërkohë që ai pritet të paraqesë propozime të reja në takimin e rradhës me liderët e FARC. Armëpushimi fillestar mori fund me referendumin, ndërkohë që ka filluar periudha e zgjatjes së tij deri në 31 tetor. Në një dalje televizive, zoti Santos deklaroi se ai kishte vendosur zgjatjen e armëpushimit, pas takimit me studentët të cilët kishin organizuar marshe në kryeqytet, në mbështetje të marrëveshjes së paqes. Presidenti shprehu besimin e tij se ata do t’ia dalin të mposhtin njëherë e përgjithmonë dhunën, në mënyrë që kolumbianët të jetojnë në një vend të paqtë, të zhvilluar dhe që i ofron mundësi për punësim. Edhe lideri rebel Timoleon Jimenez tha se kishte besim në ringjalljen e marrëveshjes, por shprehu ngurrimin e tij në ri-negocimin e disa elementëve të saj.