Suksesi i Majlinda Kelmendit duke u shpallur kampione olimpike në Rio 2016 ka dhënë menjëherë efektet e para.

Triumfi i saj duket se ka ndezur ndjenjat patriotike të Milot Rashicës dhe Alban Mehës, të cilët kanë vendosur të braktisin kombëtaren shqiptare dhe të luajnë për fanelën e Kosovës duke filluar nga eliminatoret e Botërorit Rusi 2018. Në një deklaratë të postuar në FB, pasi ka falënderuar të gjithë tifozët kuqezi për mbështetjen që i kanë dhënë deri tani, Rashica pohon se ka qenë një vendim shumë i vështirë, por që në fund peshorja e ndërgjegjes personale anoi nga vendlindja e tij. Rashica shkruan gjithashtu se ky vendim nuk duhet marrë si diçka kundër Shqipërisë, por si një përpjekje për të dhënë kontributin e tij në hapat e parë të përfaqësueses se Kosovës. 20-vjeçari i cili ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë u la jashtë Europianit nga trajneri Gianni De Biasi, gjë e cila mund të ketë ndikuar në vendimin e fundit të Rashicës. Ndryshe ka vepruar Alban Meha, i cili në faqen e tij zyrtare në FB nuk ka shkruar asnjë fjalë, por ka publikuar një foto të tij me fanelën e përfaqësueses Kosovare. Dihet që marrëdhënia mes De Biasit dhe mesfushorit nuk ishte më e mira e mundshme, madje në deklaratat e fundit për shtyp para evropianit, tekniku italian pohoi se Meha nuk bën më pjesë në planet e tij. Nëse Bunjaki do ti grumbullojë këta dy lojtarë, atëherë debutimi i tyre me përfaqësuesen e Kosovës do të jetë në Helsinki, në ndeshjen e parë ndaj Finlandës. 

Artikulli paraprakPËRMBYLLEN “KONCERTET E VERËS” FESTË NË GJUHADOL
Artikulli tjetërRRANXA BUSHAT, KREMTOHET FESTA E SHËN RROKUT