Pasditen e së mërkurës në Podgoricë është zhvilluar ndeshja e parë miqësore në mes ekipeve kombëtare të futbollit të femrave të Shqipërisë dhe Malit të zi. Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajneri Armir Grima është mundur me rezultatin e ngushtë 1-0.
Fatin e këtij takimi e ka vendosur një gabim i portieres tonë në zotërimin e topit, çka ka bërë që vendaset të përfitonin dhe të shënonin.
Por pavarësisht kësaj, duhet thënë se kombëtarja jonë e ka dominuar lojën dhe madje nuk i kanë munguar as rastet për shënim.
Stafi teknik ka vendosur që për këto miqësore të grumbullojë më shumë futbolliste nga kampionati shqiptar dhe për këtë arsye kuptohet që kombëtarja nuk ka dhënë më të mirën e saj. Ditën e shtunë, do të zhvillohet edhe miqësorja e dytë në mes këtyre dy ekipeve dhe sërish ajo do të zhvillohet në Mal të Zi.
Jo më kot, kombëtarja shqiptare është e grumbulluar prej disa ditësh në Shkodër. Nga ana tjetër vërtetë quhet kombëtarja e Shqipërisë por duket se kemi të bëjmë me një përfaqësim të ekipit kampion, atij të Vllaznisë në këtë ndeshje ngaqë në formacion si titullare kanë qenë plot 8 futbolliste të saj.