Më datë 31.08.2016 ora 20.30, në qytetin Shkodër, do të zhvillohet ndeshja miqësore, ndërkombëtare e futbollit, ndërmjet përfaqësueses së Shqipërisë dhe Marokut, ndeshje e cila do të luhet në stadiumin e ri “Loro Boriçi”.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, do të marrë një sërë masash teknike dhe organizative për, sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar një mbarëvajtje të aktivitetit sportiv.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, ju bëjmë me dije qytetarëve të qytetit Shkodër dhe tifozerisë që do të vizitojë qytetin e Shkodrës dhe do të ndjekin ndeshjen në stadiumin “Loro Boriçi” se, DVP Shkodër, për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv, do të marrë disa masa kufizuese mbi lëvizjen dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të

, si më poshtë vijon: Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 15:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00.

Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 15:00 do të ketë kufizim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00.

Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 15.00 deri në ora 24.00.

Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 15.00 deri në orën 24.00.

Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore:

“Xhabije – Parrucë”

“Sheshi 2 Prilli – Parrucë”

“Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”

“Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20.30 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë nga ora 18.00.  

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të  marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë. 

Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregëtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 15.00.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje pasi, do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen e dhe garantimin e masave të sigurisë. 

Artikulli paraprakSEKUESTROHEN NË SHKODËR 2 KG E 963 GR LËNDË NARKOTIKE
Artikulli tjetërKESHILLI BASHKIAK MBLIDHET TE PREMTEN, JA RENDI I DITES