Federata Shqiptare e Futbollit kishte premtuar emrin e trajnerit të ri brenda muajit korrik, por edhe pse kanë kaluar tashmë javë nga zyrtarizimi i largimit të De Biasit, ende nuk është vendosur timonieri i ri kuqezi.

Portali i specializuar në lëvizjen e lojtarëve dhe trajnerëve, “Tuttomercatoëeb” ka vendosur së fundmi kandidaturën e Christian Panuccit si më të afërtën për kombëtaren shqiptare. Sipas medieve, ish-mbrojtësi i përfaqësueses italiane po forcon kuotat për të trashëguar vendin e lënë bosh nga bashkëkombasi i tij, Gianni De Biasi.

Christian Panucci ka një karrierë modeste në pankinë, ku ka shërbyer disa vite si ndihmës i Fabio Capellos te Rusia, për të kaluar më pas pa sukses te Livorno dhe Ternana. Kandidaturë tjetër e fortë është Luigi De Canio, ndërsa holandezi Clarens Seedorf po cilësohet si një “outsider” luksi, por për momentin i shkëputur në listën virtuale të presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Tekniku i ri do të ketë provën e parë të vërtetë më 2 shtator, në ndeshjen kualifikuese të Botërorit kundër Lihtenshtajnit.

Artikulli paraprakPRISHET MOTI NË FUNDJAVË TË DIELËN, SHI DHE STUHI
Artikulli tjetërIPHONE 8 DO TË SJELLË VERSIONIN ME EFEKT PASQYRË QË S’MUND TA KENË TË GJITHË