Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka publikuar sot listën e lojtarëve kuqezinj, që do të ketë të grumbulluar për dy kualifikueset e radhës, me Lihtenshtejnin në “Elbasan Arena” dhe me Maqedoninë në Strumicë.
Sikurse është përfolur ditët e fundit, jashtë ka mbetur Taulant Xhaka, si në kohët e fundit me De Biazin, dhe Ergys Kaçe. Tri janë prurjet e reja, në mbrojtje dhe sulm. Fjala është për Hysen Memolla, që luan në Kroaci me Hajdukun e Splitit, Ivan Balliu, pjesë e Metz në Francë dhe Valon Ahmedi, sulmues te Maribori.
Në listë mungon Bekim Balaj, që është i dëmtuar, si dhe Orges Shehi, që në moshën 40-vjeçare po shkëlqen me Skënderbeun në Ligën e Europës. Kujtojmë se dy ndeshjet e radhës zyrtare eliminatore do të luhen:
më 2 shtator ndaj Lihtenshtejnit në Elbasan dhe më 5 shtator ndaj Maqedonisë, në Strumica, respektivisht. Trajneri Panuçi, që do të debutojë në stolin kuqezi, gjatë gjithë kësaj periudhe ka vëzhguar një pjesë të mirë të lojtarëve në takimet zyrtare, apo miqësore, që ata kanë luajtur me skuadrat e tyre.