5 MIJË EURO PREMIO PËR NJË BARAZIM.
Ekipi kombëtar i Shqipërisë me datën 7 Shtator do të  nisë aventurën në takimet kualifikuese për Euro 2016.

Kuqezinjtë do të kenë ndeshjen e parë në transfertë përballë ekipit të Portugalisë. Ndeshje kjo që do ti japë skuadrës pasqyrën e parë të forcës reale për të bërë diccka pozitive gjatë kësaj faze eleminatore.  Aktualisht ekipi kombëtar që nga dita e hënë plot 24 futbollistë janë vënë në dispozicion të trajnerit Xhani De Biazi dhe stafit të tij. Ekipi vazhdon t’i zhvillojë përgatitjet e tij për këtë ndeshje në La Korunja të Spanjës.

Ndërkohë një pikë në ndeshjen e parë eliminatore ndaj Portugalisë vlen 5 mijë euro shpërblim për secilin nga lojtarët e Kombëtares shqiptare. Takimi Portugali- Shqipëri do të zhvillohet në stadiumin “Municipal de Aveiro”, në një kohë që kuqezinjtë e De Biazit do të kenë edhe një motivim ekstra. Në rast të një fitoreje, gjasat janë që FSHF të shpërndajë 10 mijë euro shpërblim për kokë. Në fakt, shuma standarde e premiove gjatë një edicioni është 5 mijë euro për fitoret dhe 3 mijë euro për barazimet sa u përket transfertave. Ndërsa për ndeshjet në shtëpi, FSHF jep 1 mijë euro për barazimet dhe 3 mijë euro për fitoret. Gjithsesi, duke parë që Shqipëria ka përballë një Kombëtare të një niveli të lartë si Portugalia, drejtuesit e institucionit të futbollit kanë menduar të rrisin shpërblimin, qoftë edhe për një barazim të mundshëm. Për herë të fundit në një ndeshje në transfertë kundër luzitanëve, kuqezinjtë kanë marrë një pikë, pikërisht në barazimin historik pa gola më 15 tetor të vitit 2008 në Braga. Të dielën, takimi do të luhet në Aveiro, ora 20:45, në një stadium me kapacitet prej 31 mijë vendesh. Sipas mediave portugeze, parashikohet që stadiumi të jetë i tejmbushur. Edhe pse për luzitanët Shqipëria vlerësohet si një skuadër lehtësisht e kalueshme, interesimi është i madh për biletat.

Përsa i përket skuadrës në  listën e publikuar javën e kaluar bien në sy jo pak ndryshime, të cilat janë të diktuara edhe nga mungesat për shkak dëmtimesh. Migjen Basha, Armando Sadiku dhe Alban Meha nuk mund ta ndihmojnë Kombëtaren në këtë transfertë të vështirë, sepse janë duke u rikuperuar nga dëmtimet. Po ashtu, një tjetër titullar i padiskutueshëm i kuqezinjve, Valdet Rama, nuk është ftuar, pasi vetëm katër ditë më parë arriti të nënshkruante me një skuadër të re, Mynih 1860. Këtë herë, pas 10 muajsh, rikthehet në Kombëtare mesfushori me eksperiencë, Ervin Bulku. Risi është grumbullimi i 6 sulmuesve për ndeshjen e së dielës, pikërisht Salihit, Gashit, Kapllanit, Balajt, Vajushit dhe Cikalleshit.

 

 

 

[iframe width=”300″ height=”360″ src=”//www.youtube.com/embed/x4m6UzISrMM?feature=player_detailpage” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
Artikulli paraprakUKRAINE,ARRIHET MARRËVESHJA PËR PAQE
Artikulli tjetërPD: ISH VARTËSI I DIKTATURËS SHEF NË M.MADHE