Nuk përbën më lajm që kombëtarja e Shqipërisë në futboll do të jetë me sponsor të ri teknik.
Kjo, duke nisur nga faza finale e “Euro 2016” deri në fund të fushatës kualifikuese të “Botërorit 2018”. FSHF-ja ka arritur marrëveshjen prej disa kohësh me firmën “Macron”, e cila do të veshë kuqezinjtë e De Biazit. Natyrisht, para prodhimit të uniformave të ndryshme të kombëtares, të tri modeleve, aq sa duhen në bazë të rregullores së UEFA-s, është organizuar një tip konkursi për të konkluduar në modelin më të mirë, të përzgjedhur nga FSHF-ja. Ky “maket” u prezantua. Një fanellë e kuqe, me shqiponjën të dizenjuar në të. Mbathjet do të jenë në ngjyrë të zezë, duke inkuadruar në këtë uniformë dy ngjyrat e flamurit kombëtar. Numri i lojtarit do të stampohet në gjoks, pikërisht në mesin e dy kokave të shqiponjës, edhe në njërën anë, të përparme, të mbathjeve. Në të majtë të fanellës së kuqe do të jetë logoja e FSHF-së. Përflitet se dizenjimi i fanellës fituese të kombëtares është realizuar nga një shqiptar. “Macron”, firma e njohur italiane e veshjeve e produkteve sportive, ka dizenjuar edhe fanellat e Lazios, Aston Villa, Paok, Sporting Lisbonë etj. Uniforma e re kuqezi sintetizon një ndërthurje mes traditave shqiptare, me shqiponjën, si simbol, dhe modernes, pasi dizenjo është vërtet unike. Uniformat rezervë janë ngjyrë të zezë dhe të bardhë. Një nga surprizat që ka dhuruar prezantimi i fanellës së re të Kombëtares së Shqipërisë është edhe ajo që fshihet e shkruar në jakën e bluzës kuqezi. Është një varg i stampuar, nga ata të rilindasve, “Ti Shqipëri me jep nder”, që do t’i motivojë edhe më shumë futbollistët shqiptarë në ndeshjet e tyre në Kampionatin Europian, “Francë 2016”.