Një ditë e shënuar për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Edi Reja i cili mbush ditën e sotme 76 vjeç. Një ditëlindje me dhuratë fitoren në Budapest ndaj Hungarisë ishte kjo për teknikun italian i cili ka kaluar çdo pritshmëri tek kjo Kombëtare. Federata Shqiptare e Futbollit ka postuar një video ku Rejës i është rezervuar një pritje e ngrohtë me fishekzjarrë, tortë dhe festë në hotel nga lojtarët dhe stafi teknik i Shqipërisë.
“Faleminderit të gjithëve që po më uroni në këtë ditë të veçantë për mua që përkon me këtë fitore të jashtëzakonshme që ne arritëm dhe dua sinqerisht që t’ju falenderoj sepse e bëtë këtë ditë të rëndësishme për mua shumë më të bukur. Djema duhet të vazhdojmë kështu. Pas kësaj që arritëm kemi një tjetër provë shumë të rëndësishme dhe ju e dini. Sigurisht, oreksi vjen duke ngrënë. Është mirë të shohim në skuadër se ne po marrim më në fund iniciativën, në të kaluarën ne shpesh mbroheshim, por tani kemi edhe lojën tonë sulmuese. Ne duam të fitojmë kundër Polonisë, por nëse marrim një pikë, unë do të jem i lumtur me të pas suksesit kundër Hungarisë. Besoj se do të bëjmë sërish më të mirën dhe kam besim se të gjithë bashkë do t’ia dalim”.
Kombëtarja kuqezi pas dy ditësh do të luajë një sfidë të rëndësishme për fatin e saj për kualifikimin në Botëror ndaj Polonisë të martën në orën 20:45, në stadiumin “AIR Albania”. Edhe në këtë përballje pritet një rezultat pozitiv i kuqezinjve për të vijuar ëndrrën e madhe për kualifikimin në kampionatin botëror që do të jetë vitin e ardhshëm në Katar.