Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka bërë publike listën me emrat e 25 lojtarëve që do të grumbullohen për dy ndeshjet e eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” ndaj Hungarisë dhe Polonisë. Lista kuqezi ka pak ndryshime në krahasim me grumbullimin e fundit, teksa risia është rikthimi i Ivan Balliut, i cili po kalon një formë të mirë me Rayo Vallecanon-n në Spanjë. Ndërkaq, rikthehen në dispozicion Ermir Lenjani, Kastriot Dermaku dhe Federic Veseli, të cilët munguan në ndeshjet e fundit për shkak të problemeve fizike. Do të mungojë për shkak dëmtimi këtë herë mesfushorët Qazim Laçi dhe Armir Abrashi, i cili është dëmtuar pak ditë më parë dhe nuk do të ketë mundësi të japë kontributin e tij për kuqezinjtë. Pjesa tjetër e listës nuk ka ndryshime, teksa pas impenjimeve me klubet në fundjavë lojtarët do të grumbullohen të hënën në kompleksin Tropikal në Durrës për të nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, që janë vendimtare për Kombëtaren në eliminatoret e Botërorit. Shqipëria renditet aktualisht e dyta në Grupin I me 12 pikë pas 6 ndeshjesh, ndërsa më 9 tetor do të sfidojë Hungarinë në transfertë. Më 12 tetor në “Air Albania” kuqezinjtë do të presin Poloninë, aktualisht rivalin direkt për vendin e dytë. Të hënën trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja do të dalë në konferencë për shtyp, që do të zhvillohet në orën 13:15 në në Durrës, ku do të shpjegojë edhe zgjedhjet dhe do të analizojë dy sfidat e radhës. Kuqezinjtë në këto dy përballje të rëndësishme që kanë minimalisht do të kërkojnë që të ruajnë vendin e dytë në grup për të vijuar kështu ecurinë pozitive të rezultateve dhe për të shpresuar në ëndrrën e madhe të kualifikimit në kampionatin botëror të futbollit “Katar 2022”. Kombëtarja shqiptare deri më tani ka treguar me lojën e zhvilluar dhe rezultatet e arritura se ka të gjithë shanset që të vijojë këtë rrugëtim që ka nisur për ta finalizuar ashtu siç duhet me një kualifikim të mundshëm që në fakt do të ishte historik sepse deri më tani Shqipëria nuk ka arritur asnjëherë që të jetë në një kampionat botëror. Këto dy ndeshje ndaj Hungarisë në transfertë dhe Polonisë brenda në shtëpi janë pothuajse vendimtare për fatin e kuqezinjve në këto eleminatore të kampionatit botëror “Katar 2022” për shkak se janë dy sfida të vështira ndaj rivalëve direkt për kualifikimin në botërorin e vitit të ardhshëm.

 

Artikulli paraprakU RRIT ÇMIMI I NAFTËS, KONFINDUSTRIA: TË NDALET MENJËHERË
Artikulli tjetërMETA TAKOHET ME PRESIDENTIN E FEDERATËS NDËRKOMBËTARE TË KRYQIT TË KUQ: E RËNDËSISHME NXITJA E AKSIONEVE HUMANITARE PËR SHPËTIMIN E FËMIJËVE NGA KAMPET E LUFTËS