Plot tre futbollistë të ekipit të Vllaznisë janë thirrur në kombëtaren U-21, nga ana e trajnerit të saj, Redi Jupi, për ndeshjen që ajo do të zhvillojë më 10 tetor, në Izrael.

Kështu, përveç mbrojtësit Erdenis Gurishta, që ka qenë rregullisht pjesë e këtij ekipi kuqezi kohët e fundit, këtë herë janë ftuar edhe mesfushori Uendi Vecaj dhe sulmuesi Rubin Hebaj. Për ta, kjo është ftesa e parë, që e marrin nga stafi i kësaj kombëtareje dhe natyrisht që është një vlerësim për ta, kur kujtojmë se njëri është vetëm 19 vjeç dhe tjetri 18 vjeç. Megjithatë, lojërat e mira që janë duke zhvilluar me ekipin e parë të Vllaznisë kanë qenë shtysë e mjaftueshme, që trajneri Jupi t’i thërrasë për këtë ndeshje. Të tre futbollistët, menjëherë pas kthimit nga Korça, ku do të jenë pjesë e skuadrës shkodrane për ndeshjen me Skënderbeun, do të shkojnë në grumbullim me ekipin Shpresa.

Artikulli paraprakKRYEBASHKIAKJA ADEMI PRET PRESIDENTIN E KOSOVËS THAÇI
Artikulli tjetërHUMBJA NË KORÇË, VLLAZNIA NUK E DRAMATIZON