Presidenti Donald Trump përsëriti sulmet ndaj katër ligjvënëseve demokrate me ngjyrë duke pohuar të dielën se ato nuk janë “të afta për t’i dashur Shtetet e Bashkuara”. Deklaratat vijnë pas disa ditësh me komente të ngjashme nga ana e presidentit, të cilat kritikët i kanë konsideruar si “raciste”.
Javën e kaluar gjatë një mitingu zgjedhor në Karolinën e Veriut përkrahësit e presidentit Trump shpërthyen në thirrje që u shdërruan në subjekt polemikash.
Thirrja “kthjeni mbrapsht” vazhdoi për 13 sekonda përpara se presidenti të riniste fjalimin.
Në Uashington ku ngjarja u dënua në masë, presidenti u përpoq ta distanojë veten nga thirrjet.
“Ishin thirrje të fuqishme, u ndjeja paksa keq, por mund të them se nisa të flas shumë shpejt, por thirrja nisi të bëhej më e shpejtë”, tha Presidenti Donald Trump.
Të dielën në një postim në twitter presidenti Trump vuri në dyshim aftësinë e katër ligjvënëseve për t’i dashur Shtetet e Bashkuara.
Në emisionin “Këtë javë” të rrjetit televiziv ABC, ligjvënësi Elijah Cummings tha se retorika e përdorur së fundmi nga zoti Trump eshtë përçarëse për kombin. Ai tha se nuk ka dyshim se presidenti është racist.
“Zoti President, ne duam që ju të jeni shembull. Duam dikë në Shtëpinë e Bardhë me të cilin fëmijët tanë të krenohen, ku të shohin veten e tyre, për të cilin të kenë respekt të madh dhe ky nuk është shembulli që ju po jepni”, tha ligjvënësi demokrat Elijah Cummings.
Por një këshilltare e lartë e fushatës së zotit Trump për të fituar një mandat të dytë presidencial, i doli në mbrotje, duke hedhur poshtë pretendimet për racizëm.
“Kam punuar me Presidentin Trump për dy vjet dhe ai nuk është racist. Ai është një njeri i dhembsur, politikat e të cilit janë përqëndruar tek pakicat. Ai është një president i orientuar drejt rezultateve, i cili është i përqëndruar tek lartësimi i të gjithë amerikanëve, përfshirë komunitetin afro-amerikan apo atë hispanik”, thotë Mercedes Schlapp, këshilltare e lartë e fushatës Trump 2020.
Polemikat shpërthyen të dielën e kaluar kur zoti Trump u tha katër ligjvënëseve të “kthehen” në vendet nga të cilat kanë ardhur dhe “t’i rregullojnë gjërat” atje përpara se t’i tregojnë SHBA-së se çfarë duhej të bëjë. Tre nga ligjvënëset kanë lindur në Shtetet e Bashkuara dhe të katërta janë shtetase amerikane.
“Komentet e Shtëpisë së Bardhë janë të turpshme e të neveritshme dhe komentet e tij janë raciste”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.
Të martën Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të dënuar komentet e presidentit. Vetëm katër republikanë votuan ndryshe nga linja partike.