Në tragjedinë e tërmetit, që ka një bilanc shumë të rëndë, është shmangur një tjetër tragjedi.

Në mjediset e Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme në Durrës, gjatë shembjes të së cilës humbi jetën kryekomisar Bajram Hajdarmataj, në momentin e tërmetit ndodheshin edhe 112 kursantë të rinj.

Ata bënin pjesë në kursin e ri të Akademisë së Policisë, që përfshin 500 studentë. Pasi nuk kishte vend për të gjithë në Akademinë e Policisë të Tiranës, një grup prej 112 kursantësh u strehua pranë mjediseve të Konvaleshencës së Durrësit, bashkë me 5 pedagogë dhe aty zhvilloheshin leksionet. Mes pedagogëve ishte edhe oficeri Bajram Hajdarmataj.

Për fat të keq, kryekomisari Hajdarmataj nuk arriti të shpëtojë, ndërsa kolegu i tij, që flinte në dhomën tjetër, mbeti i plagosur, por mbijetoi.

Kjo pjesë e Konvaleshencës ishte ndërtuar mes viteve 1986 dhe 1991 nga ndërmarrja e ndërtimit Durrës, por kishte mbetur si ‘karabina’ për shumë vjet pas rënies së regjimit. Në mesin e viteve 2000 rifilluan punimet dhe struktura u përurua më 2008.

Në këtë godinë të re përfshihej edhe mensa, ku çdo ditë mblidheshin për të ngrënë edhe 112 kursantët, të cilët flinin në pjesën e vjetër të Konvaleshencës, një godinë e ndërtuar në vitin 1956, por që për fat të mirë i rezistoi tërmetit shumë më mirë se sa pjesa e re, e ndërtuar vetëm 10 vjet më parë.

Në fakt, godina e vjetër ka pësuar shumë dëme, por nuk është shembur, duke u dhënë mundësi të 112 kursantëve të shpëtonin pa asnjë të lënduar.
Bajram Hajdarmataj ishte pedagog në Akademinë e Sigurisë me gradën komisar

Artikulli paraprakNE AUTOSTRADEN LAÇ – MILOT URA RREZIKON SHEMBJEN. MBAHET “NË KËMBË” NGA VINÇI
Artikulli tjetërNJË PALLAT 6 KATËSH NË TIRANË PËSON ÇARJE NGA TARRACA DERI NË DYSHEME