Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin Johannes Hahn, kryeministri Edi Rama theksoi se “takimi i sotëm e konfirmoi angazhimin e dyanshëm të Shqipërisë dhe Komisionit Europian për progresin drejt stacionit të radhës, që është çelja e negociatave”.
“U vunë në dukje arritjet e reformave që ndikojnë në përmbushjen e 5 prioriteteve për hapjen e negociatave dhe u konfirmua vullneti për të vazhduar reformat. U konfirmua angazhimi për reformën e drejtësisë, si një reformë kyçe që krijon kushtet për çeljen e negociatave, por edhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të denjë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së. Konfirmuam vullnetin për dialog me opozitën në komisionin e reformës, i cili nuk mund të kushtëzohet nga aspekte të politikës së ditës, sado legjitime qofshin ato”, tha Rama. Presidenti Bujar Nishani priti të mërkurë Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Presidenti Nishani vuri në dukje se zbatimi i reformave sipas udhërrëfyesit të përcaktuar nga Komisioni Evropian duhet të jetë prioritet i prioriteteve, përfshirë reformën në drejtësi, por edhe të katër prioriteteve të tjera që përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut si dhe çështjen e pronës. Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Presidenti Nishani evidentoi se mbetet i palëkundur në bindjen dhe mbështetjen e tij për një reformë që zhvillohet në suazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardit evropian, si dhe se kjo reformë që kapërcen kufijtë e mekanizmave të sistemit të drejtësisë dhe përbën një reformë kushtetuese duhet të sigurojë medoemos jetëgjatësi. “Vullneti i palëve për të ecur në këtë trajektore mbetet kyç në këtë fazë të procesit”, tha Presidenti. Qëndrimi i opozitës është që pa dekriminalizim të politikës, demokracia shqiptare është e rrezikuar. Kështu është shprehur kreu i PD-së, Lulzim Basha pas takimit me eurokomisionerin për zgjerimin, Johannes Hahn.