Komisioneri për zgjerim dhe politikë të mirë i BE-së Oliver Varhelyi beson se konferenca e parë ndërqeveritare me Shkupin dhe Tiranën mund të mbahet brenda disa ditëve.
Në një mbledhje të komitetit ndërparlamentar Varhelyi tha se të gjitha pengesat janë tejkaluar , referuar dritës jeshile që erdhi nga parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, tani pritet vendimi për të përcaktuar datën për konferencën e parë ndërqeveritare.
“Jemi pothuajse aty. Tani është momenti që të gjithë aktorët të bëjnë hapin e fundit. Kam shpresa të larta se konferencat ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mund të mbahen brenda pak ditësh.
Të dy vendet kanë zbatuar gjithçka që u është kërkuar dhe janë gati. Gati duhet të jemi edhe ne. Tani kemi një zgjidhje në tavolinë, të miratuar nga parlamenti bullgar kështu që të gjitha pengesat janë tejkaluar”, tha Oliver Varhelyi, komisioner për zgjerim.
Ky reagim vjen pas lajmit të mirë që erdhi nga Bullgaria. Pak ditë më parë Parlamenti bullgar i dha mandat Këshillit të Ministrave për të miratuar propozimin e Presidencës Franceze për heqjen e vetos për negociatat për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Vetoja u hoq me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i RMV është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë. Lidhur me këtë pati një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama i cili tha se tani BE të lëvizë më shpejt.