Partia Socialiste ka dorëzuar sot në Kuvend emrat që do përbëjnë komisionin ad hoc për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Bushka do jenë emrat nga maxhoranca në këtë komision.
Mbetet që edhe PD e LSI, të caktojnë anëtarët e tyre në këtë komision të cilët kanë pohuar se do jenë pjesë e këtij komisioni. Mësohet se PD pritet të propozojë një nga dy emrat, Oerd Bylykbashi ose Enkelejd Alibeaj, ndërsa LSI Nasip Naçon ose Petrit Vasilin. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do ketë 11 anëtarë. Gjashtë prej tyre zgjidhen nga radhët e prokurorëve dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë. KLP ka këto përgjegjësi: emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve; vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve; i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, sipas ligjit; miraton rregullat për etikën e prokurorëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre; propozon dhe administron buxhetin e tij; informon publikun dhe Kuvendin mbi gjendjen e prokurorisë; ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.
Ngritja e KLP-së pritet t’i japë fund edhe sa i takon diskutimit të ligjshmërisë në zgjedhjen e Prokurores së Përkohshme, Arta Marku. Emrat e PS për komisionin Ulsi Manja Vasilika Hysi Klotilda Bushka Emrat e përfolur nga PD Oerd Bylykbashi Enkelejd Alibeaj Emrat e përfolur nga LSI Nasip Naço Petrit Vasili