Komisioni Evropian ka paralajmëruar edhe një herë Shqipërinë që të mos prezantojë skemën e saj të pasaportës së artë pasi bie ndesh me legjislacionin e BE dhe përbën rrezik për anëtarësimin e Shqipërisë. Pavarësisht paralajmërimeve të Komisionit të BE-së, autoritetet në Shqipëri prezantuan ndryshime të reja në ligjin për partneritetin publik-privat (PPP) duke përfshirë në ligj edhe skemën e Pasaportës së Artë, shkruan SchengenVisa.

Në një vendim të marrë më 29 korrik, Qeveria shqiptare i dha jetë një projekti për t’i dhënë shtetësi shqiptare për shtetas të huaj dhe të pasur që duan të investojnë në Shqipëri. Këshilli i Ministrave i hapi rrugën punësimit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e pasaportës shqiptare në botë, një kontraktim në formën e koncesionit. Programi “Qytetaria me Investim” është i pranueshëm në disa vende evropiane por autoritetet në vendet e BE-së shpesh e kanë kritikuar një skemë të tillë pasi shpesh është përfshirë në afera të paligjshme si pastrimi i parave dhe korrupsioni, edhe pse Skemat e Pasaportës së Artë sjellin përfitime të konsiderueshme për sektorin ekonomik. Në artikullin e publikuar thuhet se disa nga zyrtarët e qeverisë shqiptare kanë hedhur poshtë kritikat e autoriteteve të BE-së duke thënë se synimi i vetëm është që të tërheqin investitorë të huaj dhe të pasur.

Por Brukseli ka një mendim tjetër. Sipas raportit të fundit të progresit të Shqipërisë, të prezantuar vitin e kaluar, thuhet se vendosja e një skeme të tillë përbën rrezik edhe për sigurinë e vendit.

Artikulli paraprakPËRVJETORI I PAVARËSISË, MINISTRJA XHAÇKA: KRENARE PËR GJITHÇKA SHQIPËRIA KA BËRË PËR UKRAINËN DHE POPULLIN E SAJ
Artikulli tjetër25 GUSHT 2022, ÇFARË SHKRUAJNË GAZETAT SOT