Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg, ka lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Duke theksuar se Kosova meriton të bëhet anëtare e KiE-së, Osmani u shpreh se anëtarësimi do të ndikonte dhe në stabilitetin e bashkëpunimit rajonal.
“Është me rëndësi të madhe që të mos i shmangemi përqafimit të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe angazhimet tona. Prandaj ne vazhdimisht e kemi mbështetur përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim opinionin që u rekomandon Komitetit të ministrave që ta ftojë Kosovën për anëtarësim në organizatë.
Ne besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut dhe instrumente të tjera dhe se anëtarësimi i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”, ka thënë Osmani. Kujtojmë se Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së kësaj mbledhje në Strasburg, për shkak të refuzimit nga Qeveria e Kosovës të kërkesave të Gjermanisë, Francës e Italisë që të bëhen hapa konkret për Asociacionin. Ndërsa, gjatë ditës kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, ka bërë të ditur se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.