‘Komunikimi’, Rama: 1 mld USD për ekonominë familjare
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se plani kombëtar i qeverisë prej 1 miliard dollarë të cilat pritet të investohen tre vitet në vijim, do të ndihmojë ndjeshëm buxhetin familjar. Përmes një videomesazhi në “Komunikimin javor”, Rama ka folur për mbylljen e marrëveshjes me FMN e cila sipas rezultoi një histori suksesi. “Ky program nënvizon MNF, e ka vendosur ekonominë shqiptare në rrugën e financave publike solide dhe stabilitetit financiar. Reformat janë të rëndësisë jetike për thithjen e investimeve dhe rritjen e ekonomisë. Nga një rritje ekonomike 0% tre vite më parë, FMN thotë se rritja ekonomike pritet të arrijë 3.4% në vitin që lamë pas”, tha Rama. Kreu i qeverisë theksoi se reformat kanë dhënë rezultatet e para në rritjen e ekonomisë së vendit, por ai pranoi se kjo nuk është ndjerë në buxhetin familjar. Rama tha se ekonomia familjare do rritet pasi qeveria të injektojë 1 miliard dollarë investime gjatë këtij viti. “Vendi ka marrë kthesën nga buza e humnerës ku gjendej në 2013-ën, por mund të synojë edhe shumë të tjera. Reformat po na japin vetëm rezultatet e para, të cilat do të shtohen dhe konsolidohen hap pas hapin në vijim. Shifrat e rimëkëmbjes së ekonomisë si rezultat i reformave të guximshme edhe nga FMN e BB, KE, për kthesën në drejtimin e duhur të ekonomisë, nuk mjafton për të kënaqur vetëm ekspertët e fushës. Pasi, në fund të ditës, çdo familje shqiptare meriton më shumë. Jam i vetëdijshëm se pavarësisht faktit të rritjes ekonomike 3.4% e cila është si dita me natën në krahasim me 0% si tre vite më parë, nuk mjafton për të rritur ekonominë familjare të gjithsecilit. Paralelisht me rritjen e luftës kundër informalitetit, e cila do të ashpërsohet këtë vit, ne do nisim programin kombëtar të financimit 1 mld dollarë për rindërtim. Krahas investimeve të drejtpërdrejta do të fusim në rrugën e rilindjes një volum kapitalesh private, për të ndërtuar me shpejt infrastrukturën rrugore, arsimore e shëndetësore, për të bërë të mundur që çdo vit vendi të injektojë 1 mld dollarë investimeve”, u shpreh Rama. Kryeministri u shpreh i bindur se “tre vitet e ardhshme ekonomia shqiptare do të rritet gati 2 fish”. “Rritja e ekonomisë do të ndjehet shumë më tepër në ekonominë familjare të gjithsecilit”, tha Rama. Ai shtoi gjithashtu se “mandati i parë qeverisës është vetëm pjesa e parë e një ndeshje shumë të vështirë të cilën ne do ta fitojmë, për të bërë shtetin që duan të gjeneratës tjetër”.