Në këtë 79-vjetor të Çlirimit që u festua edhe në Shkodër, nuk mungoi sekretari i Partisë Komuniste të Shqipërisë Gjon Bruçi i cili ashtu si çdo vit nderoi me grushtin komunist. Në një kohë kur Kisha Katolike i kërkoi Presidentit një ligj të ri për dënimin e krimeve të komunizmit dhe ndalimin e simboleve të diktaturës, Bruçi nderoi figurën e Enver Hoxhës dhe diktaturën gjakatare të tij dhe tha se Enver Hoxha dhe komunizmi nuk kanë kryer asnjë krim ndaj popullit shqiptar në një kohë kur janë me mijëra të vrarë me dhe pa gjyq, të burgosur që humbën jetën qelive të diktaturës, të tjerë që provuan torturat çnjerëzore në burgje e hetuesi si dhe të internuar pafund deri tek gra e fëmijë e të tjerë që ende nuk dihet se ku kanë eshtrat.

Menjëherë pas përfundimit të Luftës Anti Fashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri u vendos regjimi totalitar komunist e një prej diktaturave më të egra në gjithë Europën me në krye diktatorin famëkeq Enver Hoxha i cili për 45 vite terrorizoi popullin shqiptar. Me mijëra viktima të pafajshme që humbëm jetën si dhe mijëra të tjerë që u dënuan pa asnjë shkak. Në Shqipëri ende nuk ka një ligj që dënon krimet dhe simbolet e komunizmit ndaj edhe figura e Enver Hoxhës, dikatura e tij apo figura të tjera të atij regjimi gjakatar vijojnë të nderohen e lartësohen edhe pse kryen krime çnjerëzore.

Pas 33 vitesh nga rënia e atij regjimi Shqipëria është e pafuqishme për t’u ndarë përmes një ligj nga ajo e kaluar e errët, pasojat e të cilës vijojnë ende qoftë me prokurorë e gjyqtarë që nga ai sistem kaluan në sistemin e sotëm, politikanë komunistë dhe ish drejtues të asaj kohe që vijojnë ende në politikën aktive sot, krijimin e njeriut të ri si një prej dëmeve më të mëdha të shoqërisë shqiptare dhe gjithashtu diktatura që përjetoi Shqipëria është një pengesë që ndikoi në këto 3 dekada për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Artikulli paraprakSHKODRA FESTON PËR HERË TË PARË 29 NËNTORIN
Artikulli tjetërPEMAJ: TË MERREN MASA PËR OBOTIN