Një vals nga Çajkovski çeli koncertin e bamirësisë që u zhvillua në teatrin ”Aleksandër Moisiu” të Durrësit për fëmijët e familjeve të strehuara në hotele pas tërmetit të 26 nëntorit.

Tingujt magjepsës të muzikës klasike u kthyen në një homazh për ata që humbën jetën nën rrënoja, po dhe në simbol për jetën në këtë prag të ndërrimit të viteve.

Artistë shqiptarë nga vendi dhe diaspora, anëtarë të orkestrave më të njohura në vend dhe pedagogë të Universitetit të Arteve u bënë bashkë për të ofruar virtuozitetin e tyre për këta fëmijë dhe familjet e tyre. I ardhur nga Franca, instrumentisti i mirënjohur Vlorent Xhafaj tregon për nismën.

“Është një koncert për të prekurit nga tërmeti dhe përmes shoqatave të ndryshme që ndihmojnë në hotelet ku ata janë strehuar i sollëm këtu. Ishte shumë e rëndësishme për ne t’i sillnim njerëzit në teatër. Ndoshta më të vegjlit do e mbajnë mend më vonë që kanë marrë pjesë në një aktivitet të tillë. U munduam të jetë një koncert festiv dhe profesional me artistë të mirënjohur”, shprehet Vlorent Xhafaj.

Edhe pse paksa të zhurmshëm, pasi shumë prej tyre vinin për herë të parë në një koncert të muzikës klasike, fëmijët e shijuan programin e përzgjedhur me kryevepra botërore nga Shtraus, Shubert, Ccajkovski, List, e të tjerë kompozitorë të mëdhenj.

Artikulli paraprakKAPEN 11KG KANABIS, NË PRANGA POSEDUESI
Artikulli tjetërDIGJET MAKINA E PARKUAR, ARRESTOHET 34-VJEÇARI