Disa prej perlave të muzikës popullore shkodrane erdhën në koncertin e organizuar në pedonalen “Kolë Idromeno” pranë hotel “Colosseo”. Këngëtarët më të mirë të qytetit interpretuan për publikun e pranishëm.
Muzika e bukur popullore bashkë me zërat e artistëve të afirmuar por edhe talenteve të reja krijuan një atmosferë festive në qendër të qytetit në këtë koncert të organizuar nga bashkia Shkodër dhe qendra kulturore “Pjetër Gaci”.
Moderatori Astrit Fani tha se të pranishmit shijuan nga këngët e vjetra popullore që janë më të pëlqyerat për publikun.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të koncerteve të verës për të argëtuar sa më shumë turistët e huaj por edhe vizitorët vendas dhe qytetarët shkodran. Drejtues muzikor i koncertit ishte Gazmend Kraja dhe drejtues artistik Bardhyl Hysa.