Violinisti shkodran Rrok Jakaj i cili nuk jeton më u përkujtua nga një grup miqsh dhe të afërm në një koncert kushtuar kësaj figure të rëndësishme të artit shkodran dhe shqiptar. Pianisti Markelian Kapidani thotë se në këtë koncert memorial i organizuar në sallën “Kardinal Mikel Koliqi” në Shkodër u përzgjodhën disa prej pjesëve muzikore që i pëlqenin artistit Rrok Jakaj si një buqetë përkujtimit ndaj kontributit të madh që dha për muzikën.
Brixhilda Martini, violinistja e njohur shkodrane erdhi nga Italia për të nderuar figurën e Rrok Jakaj në këtë memorial koncert kushtuar atij.
Rrok Jakaj, instrumentisti i talentuar lindi në Shkodër me 16 maj 1968 ndërsa studimin e violinës e nisi në vitin 1974. U diplomua në Akademinë e Arteve në kryeqytet në vitin 1990 me maksimalen e votave e më pas me një seri diplomash për violinë në Itali. Që nga 1992 bashkëpunoi me një seri orkestrash brenda dhe jashtë vendit ndërsa në 1997 themeloi “Skenderbeg Chamber Orchestra” për të vijuar me themelimin e një sërë formacionesh të tjera muzikore.
Nga 1999 deri në 2002, ishte pjesëtar i “Orchestra Sinfonica Italiana” O.S.I dhe ka marre pjesë në evente si: “Pavarotti & Friends” dhe “7° Concerto del Vaticano”, ku u prit nga Papa Giovanni Paolo II. Rrok Jakaj vijoi shkëlqimin e tij në Itali por edhe më gjërë me orktestra dhe artistë të mirënjohur ndërkombëtar.