Pas 15 vitesh mungesë, diva e muzikës shqiptare Inva Mula, e njohur edhe ndërkombëtarisht u rikthye në skenën e teatrit “Migjeni”, në Shkodër, qytetin e babait të saj të madhit Avni Mula. Një koncert në të cilin mori pjesë edhe muzikanti i njohur Genc Tukiçi, djali i këngëtarit të shquar shqiptar Ibrahim Tukiçi. Për më shumë se 90 minuta kjo dyshe artistësh në këtë koncert të quajtur “Për ty babë” dhuruan emocione të pafundme ndërsa morën duartrokitjet e gjata të publikut.

Një surprizë në këtë mbrëmje të veçantë në teatrin “Migjeni” është momentin kur Genc Tukuçi këndoi bashkë me soprano Inva Mula simbolin e muzikës shqiptare, këngën Lule Borë.

“Unë ty moj të kam dasht”, kënga e të pavdekshmes Marie Kraja e performuar nga Inva Mula solli një nostalgji duke kujtuar kështu një prej emblemave të artit shqiptar.
Përmes pianos së tij mjeshtri Genc Tukiçi performoi një prej jareve shkodrane të kënduar nga babai i tij i ndjerë Ibrahim Tukiçi.

Mes emocionesh të forta në këtë mbrëmje magjike në Shkodër koncertin Inva Mula e mbylli me Valsin e Lumturisë ndërsa tregon emocionet e forta që përjetoi.
Muzikanti Genc Tukiçi thotë se ky koncert ishte një amanet i plotësuar për të mëdhenjtë, babain e tij Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mulën.

Kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia shprehet se bashkia Shkodër do vijojë që të ketë në vëmendjen e saj aktivitetete të tilla kulturore të një niveli të lartë.

Sopranoja Inva Mula për një orë e gjysëm bashkë me Genc Tukiçin sollën për publikun shkodran disa prej perlave të muzikës shqiptare por edhe muzikës botërore, një koncert që i kishte munguar Shkodrës prej vitesh.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, DISKUTIMI “RINGJALLJA E QYTETIT TË ARTIT”
Artikulli tjetërFINALJA E CONFERENCE LEAGUE NË TIRANË, PRITEN 90 MIJË TIFOZË PËR NDESHJEN ROMA – FEYENOORD