Studentët e vitit të dytë dhe të tretë të degës së Historisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë organizuar një konferencë studimore në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Katriotit Skënderbeu.
Me nismën e departamentit të Historisë, u prezantuan 12 tema të ndryshme të studentëve, të cilat kishin në bazën e tyre të gjithë periudhën e jetës dhe veprimtarisë së Skënderbeut.
Dy prej tyre, Senad Rama dhe Artemis Kadillari, prezantuan temat e tyre lidhur me origjinën e heroit dhe armët e tij.
Për pedagogen e Departamentit të Historisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Nertila Ljarja, kjo është një mundësi e madhe për përgatitjen e studentëve, për të vijuar më tej me kalimin e stafetës për brezin e ri të historianëve, për t’a kthyer këtë në një praktikë të vazhdueshme për departamentin në fjalë.
2018 është shpallur viti i Skënderbeut, i cili lidhet me 550 vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar. Në vazhdën e këtij përvjetori jubilar, jo vetëm Universiteti i Shkodrës, por edhe institucione të tjera kanë organizuar aktivitete të ndryshme.