Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar rastin e parë të Mpox (Lija e majmunëve) për vitin 2024. Rasti u diagnostikua më 26 dhjetor përmes metodës RT-PCR.
Pacienti, një 30-vjeçar nga Kosova, u shtrua në Klinikën Infektive të QKUK më 24 dhjetor pas kthimit nga një vend i Afrikës Perëndimore, me simptoma si ethe, temperaturë, skuqje në fytyrë dhe duar, dhe kruarje.
Gjendja e tij shëndetësore është stabile. IKSHPK ka gjurmuar kontaktet e pacientit dhe ka dhënë rekomandime për masat e parandalimit. Instituti thekson se shumica e rasteve të Mpox janë të lehta dhe qytetarët nuk duhet të krijojnë panik.
Mpox është një sëmundje virale që përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe karakterizohet nga temperatura, skuqje e lëkurës dhe ënjtje të nyjeve limfatike. Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e IKSHPK.