Një ditë më parë një rast i paprecedent ndodhi në një prej drejtorive më të rëndësishme të bashkisë Shkodër. Drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Gentian Ibro u përfshi në një sherr fizik me inspektorin e tij Naim Deniku.
E gjitha kjo erdhi pas debateve dhe marrëdhënieve jo të mira mes tyre gjatë muajve të fundit. Star Plus bëri të ditur këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në zyrën e drejtorit Ibro.
Tashmë pas një dite nga ky sherr i padëgjuar më parë, bashkia Shkodër nuk ka bërë asnjë lloj reagimi për të sqaruar se çfarë ka ndodhur si dhe për të mbajtur një lloj qëndrimi rreth kësaj ngjarje.
Edhe pse një përplasje e fortë fizike bashkia Shkodër të paktën deri tani ka zgjedhur heshtje ndonëse është një ngjarje e rëndë që kërkon një sqarim për opinionin publik.
Tashmë ky sherr mes drejtorit Gentian Ibro dhe inspektorit Naim Deniku është dokumentuar edhe në policinë vendore të Shkodrës. Drejtori Ibro ka bërë një kallëzim duke dhënë pretendimet e tij mbi ngjarjen ndërsa të njëjtën gjë ka bërë edhe inspektori Deniku duke treguar versionin e tij mbi atë që ka ndodhur.
Sipas burimeve mësohet se drejtori Ibro ka tentuar që inspektorin e tij ta dërgojë sipas dëshirës në disa vende për prishje ndërtimesh apo edhe urdhëra të tjerë të qëllimshëm ku vetë drejtori Ibro mund të ketë qenë i përfshirë në pazare të ndryshme.
Inspektori Deniku duket se e ka kuptuar lojën e eprorit Ibro dhe nuk ka pranuar që të veprojë në këtë mënyrë aspak normale dhe dashakeqëse ndaj ndonjë personi në qytet apo njësi administrative.
Sipas burimeve Bashkia Shkodër edhe më përpara ka patur informacione nga rrugë të ndryshme për dyshime të përfshirjes në korrupsion të drejtorit Ibro por asnjëherë nuk është bërë diçka më shumë për t’i verifikuar. Star Plus në ditët në vijim do të investigojë rreth kësaj situate dhe drejtorisë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit lidhur me punën dhe veprimtarinë e ushtruar.
Po ashtu Star Plus fton të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe njësive administrative që në rast se disponojnë fakte konkrete, informacione apo gjithçka tjetër rreth drejtorit Gentian Ibro apo edhe Inspektoriatit t’i denoncojë pranë nesh ndërsa do të respektohet anonimati i tyre nëse dëshirojnë.