Konfliktet nga rrjetet sociale – Avokatët: FB spiun i tradhëtive dhe shkak i grindjes së adoleshentëve
Rritja e numrit të përdoruesve të rrjeteve sociale përveç favorëve që sjellin në lidhjen mes të njohurish, po bëhet shkak që shumë prej çifteve të ndahen pas dyshimeve të lindura nga komunikimet virtuale. Avokatët thone se një problem jo pak i vogël këto komunikime po shfaqin edhe te adoleshentët, të cilët grindjet në FB i vijojnë edhe fizikisht, duke përfunduar ndonjëhere edhe në ngjarje tragjike si ajo e pak ditëve më parë në Pogradec, ku u vra nga një bashkëmoshatari i tij 18-vjeçar. Të zbulosh tradhëtinë nëpërmjet Facebookut, apo te grindesh me dikë edhe fizikisht pas një komenti në rrjetet sociale, duket se tashmë është bërë e zakonshme. Por konfliktet nuk mbeten vetëm aty, ato përfundojnë edhe në duart e drejtësisë. Avokatët rendisin si shkak të parë të divorceve tradhëtinë, e cila në jo pak raste është zbuluar nga komunikimet virtuale të partnerëve. Vjollca Pustina: Duke qenë se prezantohen me emër tjetër dhe faktikisht është e vështirë për tu zbuluar, por ka pasur raste që njëri nga bashkëshortët e ka zbuluar dhe ka ardhur në gjykatë edhe për tradhëti. Nuk do të thotë gjë që vetëm të kapi direkt në flagrancë njërin nga bashkëshortët. Edhe komunikimi nëpërmjet fb, duke zbuluar dhe bisedat dhe të gjitha, ka rezultuar se ka qenë një ndër shkaqet që ka çuar familjet në divorc. Por juristët pohojnë se nuk janë të pakta edhe veprat penale që kanë ardhur si pasojë e grindjeve ne rrjetet sociale dhe kjo kryesisht mes adoleshentëve. Vjollca Pustina: Edhe midis adoleshentëve, sepse është një mjet komunikimi që mund të komunikosh drejtëpërdrejtë me personin. Kanë konflikte nëpërmjet fb si rasti i atyre djemve të Pogradecit. Mendoj që fre nuk mund t’i vesh, por duhet të ketë edhe një kontroll mbi këto lloj mjetesh pavarësisht se ligji nuk e parashikon. Pak javë me parë në Pogradec, një 18 vjeçar humbi jetën pasi u ekzekutua nga një bashkëmoshatari i tij. Sipas policisë, dy 18 vjeçarët kanë filluar grindjen mes tyre në rrjetin social në fb. Autori i vrasjes e akuzonte viktimën se i ngacmonte në fb të dashurën. Kaq ka mjaftuar që midis të rinjve të shkëmbehen sharje njëra pas tjetrës, të cilat përfunduan deri në vrasjen e njërit prej adoleshentëve. Ndërsa në Tiranë, një 34 vjeçare tentoi ti jepte fund jetës pas dyshimeve të shfaqura nga bashkëshorti i saj emigrant për një prej shokëve te saj në fb, të cilin ai nuk e njihte ndërsa ajo vete pretendonte se e kishte të afërm. E reja tentoi të vetëhelmohej, por më parë kishte lënë një letër ku shkruante se shkak për këtë veprim ishte bërë xhelozia e bashkëshortit.