Pasuria kombëtare, infrastruktura dhe institucionet siriane, gati janë shkatërruar nga impakti katastrofik i konfliktit 5-vjeçar.
Në këtë përfundim ka arritur Qendra siriane për Politika Kërkimore, e cila në një raport vlerëson se viktimat e shkaktuara nga lufta, në mënyrë direkte ose indirekte janë rreth 470 mijë, një shifër kjo dyfish më e lartë nga ajo që është shpallur nga OKB 18 muaj më parë. Që atëherë nuk janë mbledhur më të dhëna. Gjithsej 11.5% e popullsisë së vendit është vrarë apo plagosur që prej shpërthimit të krizës në mars të 2011-s. Numri i të plagosurve vlerësohet të jetë 1.9 milionë. Jetëgjatësia mesatare ka rënë nga 70-vjeç që ishte në vitin 2010, në 55.4 në 2015. Në total, humbjet ekonomike, sipas raportit, vlerësohen në 255 miliardë dollarë.