Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të qartë ditën e sotme se statuti i krijimit të Asociacionit, duhet të jetë brenda kornizës që e lejon Kushtetuta e vendit. Ai tha se nëse Bashkimi Europian nuk mendon se zgjidhja dhe dialogu me Serbinë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën atëherë Kosova nuk ka farë të kërkojë në dialog sepse në këtë mënyrë do të shkatërronte parimet themelore kushtetuese.
“Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mendoj që nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse BE-ja nuk mendon që zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj që Kosova nuk ka çka të kërkoj në atë dialog më. Kurrfarë interesi nuk ka Kosova më, çka kemi ne interes ta shkatërrojmë kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon në dëm tonin nëse shkon ashtu”, ka thënë Konjufca.
Ai tha se baza për negociatat mes dy vendeve nuk mund të mbështetet në pozicione antikushtetuese duke shtuar se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve vjen me qëllimin për të shkuar drejt njohjes së ndërsjelltë dhe jo për të shkatërruar shtetin e Kosovës.
“Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu. Normalizimi vjen për shkak se shkohet drejt njohjes së ndërsjellë, normalizimi nuk vjen me shkatërru shtetin e Kosovës me një republikë serbe”, u shpreh kryeparlamentari.
Në 2 Maj, Vuçiç dhe Kurti u takuan në Bruksel ku miratuan deklaratën për të Zhdukurit gjatë luftës. Ndërsa për Asociacionin dy liderët u shprehën se nuk kishte dakordësi.