Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e parë në sallën e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka zgjedhur si kryetar Gent Ibrahimin dhe si zëvendës kryetar Alfred Balla.

Gent Ibrahimi vjen si kandidaturë nga bota akademike dhe nga pesë të zgjedhurit jo magjistratë, ndërsa Alfred Balla është përzgjedhur nga pesë anëtarët e votuar nga shoqëria civile.

Mbledhja po drejtohet nga juristja më e vjetër Nurihan Seiti dhe e pranishme në të shihet edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku.

Krahas zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendës kryetarit, tanimë pritet të miratohet vendimi deklarues me datën e krijimit të Këshillit dhe të hidhet shorti për përcaktimin e anëtarëve jo prokurorë që do të shërbejnë në një mandat 3-vjecar.

Më 11 dhjetor, u përcaktuan 6 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët janë: Besnik Cani, Gent Osmani, Antoneta Sevdari, Kosta Beluri, Bujar Sheshi dhe Arben Dollapi.

Pas numërimit të 297 votave të prokurorëve shqiptarë, prokurorët më të votuar nga rrethet rezultuan Besnik Cani, Gent Osmani dhe Atoneta Sevdari.

Ndërsa dy prokurorët e Apelit, Bujar Sheshi dhe Arben Dollapi u zgjodhën automatikisht për shkak se kishte vetëm dy vende të lira, për dy kandidatë.

Gjashtë anëtarët e sipërpërmendur iu bashkuan 5 anëtarëve të përzgjedhur më parë nga shoqëria civile, duke i hapur rrugë kështu konstituimit të institucionit më të ri të drejtësisë.

Artikulli paraprakNDËRTOI PA LEJE, KAPET 46-VJEÇARI I SHPALLUR NË KËRKIM
Artikulli tjetërDENONCIMI I PD: RAMA DHE VELIAJ KANË PARASHIKUAR NDËRTIMIN E NJË REZIDENCE LUKSOZE