Konsulli rus në Athinë gjendet i vdekur në apartament
Konsulli rus në Athinë është gjetur i vdekur në banesën e tij. Policia ndërhyri në banesë pas alarmit të dhënë nga kolegët, sipas të cilëve, konsulli nuk ishte përgjigjur në telefon. 55 vjeçari Andrei Malanin u gjet i pajetë në apartamentin e tij në lagjen “Herodos Atticus”. Mediat greke bëjnë me dije se në trupin e viktima nuk ka shenja armësh apo mjeti të mprehtë. Ai është gjetur i shtrirë në mes të banesës dhe shumë pranë ishin çelësat e apartamentit. Do të jetë autopsia ajo që do të përcaktojë qartë shkaqet e vdekjes së tij. Trupi i pajetë është gjetur pak orë më parë. Mediat greke bëjnë me dije se ai është gjetur i vdekur pasditen e sotme rreth orës 17:45 minuta. Apartamenti ndodhet në një ndërtesë pesëkatësh. Organet e hetimit kanë shkuar në vendin e ngjarjes.