Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje të martën autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit kishin identifikuar gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.
“Pretendimet për parregullsi të raportuara nga OSBE-ja dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, është e papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë,” deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ai tha se Departamenti amerikan i Shtetit po shqyrton gjetjet paraprake të misionit vëzhgues të OSBE-së për zgjedhjet në Serbi.
“Jemi në dijeni se deklaruan që zgjedhjet e 17 dhjetorit u ofruan votuesve mundësi, alternativë politike. Por ata gjithashtu arritën në përfundimin se zgjedhjet ishin të dëmtuara nga mungesa të shumta procedurale, trysnia ndaj punonjësve publikë dhe keqpërdorimi i burimeve publike dhe se këta faktorë, krahas me përparësitë që i gëzon partia në pushtet, krijojnë kushte të padrejta,” deklaroi zëdhënësi Miller gjatë konferencës për shtyp.
Gjatë ditës, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim Oliver Varhelyi, thanë në një deklaratë të përbashkët se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok”. Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”. Sipas kësaj organizate këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për konkurrencë”. Vëzhguesit dhe mediat e pavarura raportuan se serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar personave që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina e tyre është goditur me shkopinj bejzbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta.
Të hënën vonë ministria e Jashtme gjermane duke iu referuar gjetjeve të vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsitë në zgjedhjet serbe tha se “kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”. Nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, Serbia u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit, ende i trazuar pas luftërave të viteve 1990.