Burgjet janë përfshirë në një fushatë masash të forta për eliminimin e përdorimit të aparateve celularë nga të burgosurit dhe të paraburgosurit.

Telefon i fshehur në fundin e dyfishtë të një tenxhereje që është përshtatur për të mos rënë në sy nga kontrollori i burgut apo nga skaneri. Patatja është prerë, është mbushur me një telefon dhe mandej është lyer. Fantazia e të burgosurve dhe të të afërmve të tyre ndonëse sfidon edhe shpikësit, gjithë kjo përpjekje ngec në pragun e burgjeve nga hyjnë të afërmit.

Por ndonëse ushqimi bëhet copë-copë, pastiçoja thërrmohet, byreku copëtohet për të zbuluar se mos futen sende të ndaluara, ose lëngje me ngjyrë kthehen pas për të njëjtin qëllim, të tjerë ia dalin mbanë të kalojnë portën e një burgu dhe të përfundojnë te të dënuarit.

Aparati celular është më i kërkuari veçanërisht në paraburgim dhe në burgje të sigurisë së lartë. Gjithë kjo kërkesë vjen jo më tepër nga dëshira për të folur me njerëzit jashtë mureve të larta, por për të kryer telefonata të pakontrolluara.

“Ne kontrollojmë herë pas here qelitë, por dhe të dënuarit nuk rrinë duarlidhur. Ka ndodhur që kemi zhveshur edhe muret e një qelie, pasi ishim të bindur që njëri nga subjektet përdorte telefon. Ai madje shkruante edhe në “Facebook”.

Kemi hyrë dhe jemi kthyer shumë herë në atë qeli dhe çdo herë dilnim duarbosh. Duhet të kemi parasysh që të dënuarit që jetojnë në një qeli kanë një bashkëveprim të çuditshëm me njëri-tjetrin dhe as që bëhet fjalë që të spiunojnë njëri-tjetrin.

Në fund zbuluam se aparati i telefonit ishte përshtatur me pultin e televizorit dhe ne e kishim pasur para syve, por që nuk mund ta besoni, por asnjëri nga ne ndonëse e bëmë fije qelinë as na shkonte në mend se pulti ishte edhe telefon”, përshkruan një oficer i policisë së burgjeve” përpjekjet e autoriteteve për të konstatuar telefonat në qeli, një sfidë kjo që ngjan se vazhdon të jetë një përplasje e pareshtur mes dy forcave.

Një zyrtar burgjesh tregon se teksa një i paraburgosur ishte në përgjim dhe ishin munduar disa herë të zbulonin se prej nga i kryente telefonatat personazhi VIP, në fund pas dhjetëra veprimeve blic, ku natyrisht disa muaj nuk kishte munguar as dështimi zbulimi ishte i habitshëm.

“Mbajtësja e shkumës së rrojës ishte mbushur me sfungjer, aty mes dy anëve të sfungjerit ishte telefoni. Disa herë kontrollohej shkuma e rrojës, por nuk bënte as zhurmë asgjë. Përkundrazi ishte përshtatur me aq mjeshtëri sa kurdoherë që policët e kalonin në dorë, duke e kontrolluar ajo ishte në gjendje të lëshonte shkumë. Por në fundin e mbajtëses, po ta shtypje me kujdes ajo hapej dhe pasi largoje copat e sfungjerit dilte telefoni”, tregon zyrtari i burgjeve .

Megjithatë, të burgosurit vazhdojnë të vrapojnë të kërkim të rrugëve të reja, sapo zbulohen me tentativën e radhës. Dikur pëllumbat dhe së fundmi edhe dronët, të cilët përpos hashashit transportojnë edhe aparate telefonash, të cilët në të paktën dy raste janë zbuluar nga policia e burgjeve.

Artikulli paraprakMESAZHI PREKËS I DEPUTETES PËR VELLANË QË I VDIQ NË AKSIDENT
Artikulli tjetërANTI-INFORMALITETI KONTROLL RRETH 500 SUBJEKTEVE NË 5 DITË