Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes një raporti auditi të ushtruar në Prefekturën e Qarkut Shkodër gjatë vitit të kaluar ka kryqëzuar këtë institucion që drejtohet nga Paulin Radovani që pas 2013-ës.

Auditi i KLSH-së për ligjshmërinë dhe rregullshmërinë ka gjetur afro 70 shkelje të ndryshme për periudhën 2-vjeçare 1 qershor 2013 deri me 1 qershor 2015. Auditi nis me largimin nga puna të 8 punonjësve në 2013-ën në kundërshtim me ligjin, punonjës të cilët kanë fituar gjyqet dhe duke sjellë një dëm ekonomik prej 47 milion lekësh të vjetra në total si paga që do jepen për këta 8 punonjës të shkarkuar. Në gjetjen e dytë auditi i KLSH bën të ditur se janë pranuar punonjës në punë në sektorin e repartit të zjarrëfikësve pa konkurim dhe mbi moshën e lejuar sipas ligjit. Po ashtu prefektura sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit mban në inventarin e saj makina pa targa dhe pa kontroll teknik. Po ashtu 21 mjete janë 100% të amortizuara që vazhdojnë të mbahen në inventarin fizik e kontabël në prefekturë. Në bilancet e viteve 2013-2014, auditi ka gjetur një shumë prej rreth 2 milion lekësh të vjetra që është një detyrim i trashëguar që nuk i është dhënë zgjidhje ligjore. Prefektura nuk ka vetëm borxhe sipas KLSH por edhe debitor që në total kapin shifrën e 7 milion lekëve të vjetra që vijnë si detyrime ndër vite pa një shpresë për tu arkëtuar. Po ashtu rreth 9 milion lekë të vjetra prefektura sipas auditimit të KLSH-së i ka detyrim ndërkohë që ende nuk janë bërë shkaqet e krijimit të këtij borxhi. Nga masat disiplinore Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar largimin nga puna ose vërejtje për paralajmërim të përgjegjëses të sektorit të shërbimeve të brendshme e cila mbulon edhe burimet njerëzore sepse në total janë shkarkuar nga puna 32 punonjës prej të cilëvë 7 kanë fituar gjyqin. Nga ana tjetër gjatë 2014-ës 5 emërime janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe për KLSH-në nuk përbën justifikim argument i përgjegjëses së sektorit të shërbimeve të brendshme se emërimet janë bërë nga instance të tjera çka lë të kuptohet se drejtpërdrejtë ka ndërhyrë politika gjë për të cilën nuk ka asnjë kundërshtim për këto emërime. Po ashtu kërkohet shkarkimi i përgjegjësit të zyrës së administrimit financiar, drejtorit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë apo edhe një jurist në prefekturë. Puna e komisionit të titujve të pronësisë është vlerësuar e dobët ndërsa nga përgjigja e prefektit Radovani rezulton se rekomandimet e bëra në audit janë pranuar plotësisht. Edhe pse janë afro 70 rekomandime shumë prej tyre ende nuk janë plotësuar edhe pse po bëhen 6 muaj nga miratimi i raportit të këtij auditi nga kryetari i KLSH Bujar Leskaj.

Artikulli paraprak“ARREST ME BURG” PËR NDOKË VECAJ I AKUZUAR PËR VRASJE
Artikulli tjetërPYJET, THYHET MORATORIUMI, SEKUESTROHET NJË KAMION ME DRU