Kontrolli në kufi, policia merr mjete për zonat e vështira
Për kalimin ilegal të emigrantëve, por edhe për trafikun e drogës, organizatat kriminale përdorin shpesh kufirin e gjëlbër. Por shumë shpejt, patrullimi i kësaj hapësire nga policia do të kryhet me anë të disa motorëve të kalueshmërisë së lartë, të cilët do t’i bashkohen flotës së policisë kufitare falë një donacioni të Ambasadës Amerikane. “Tre nga këto mjete do atashohen në kufirin me Greqinë. Do të kemi edhe në kufirin me Maqedoninë, me Kosovën, por edhe në vijën bregdetare ku në zona të thyera nuk mund të operojnë mjete të tjera të policisë”, deklaron Genc Merepeza, drejtor i përgjithshëm i Kufirit. Problem për policinë vijon të jetë pika e kalimit kufitar me Greqinë, ndërsa pjesë e donacionit janë edhe kamera termike apo pajisje të tjera të specializuara. “Kemi probelme në kufirin jugor, ku tentativat janë me kafshë dore, por edhe sa i përket kalimit ilegal të emigrantëve. Por për këtë bashkëpunojmë në kohë reale me palën greke për të parandaluar edhe trafikimin e kanabisit”, deklaron Merepeza. Mjetet e reja të policisë kufitare mund të përdoren edhe në funksion të stategjisë kombëtare për parandalimin e kultivimit të kanabisit.