Edhe pse Bashkia Malësi e Madhe paralajmëroi para disa ditësh se ora 09:00 e datës 8 maj do të jetë afati i fundit për prishjen vullnetare të objekteve që përfshihen nga projekti restaurues i qendrës së Koplikut, në shumë ndërtesa nuk ka patur asnjë ndërhyrje.

Vetëm rreth orës 12 të së hënës një fadromë e bashkisë ka bërë disa ndërhyrje të pjesshme, kryesisht në objektet që kishin filluar të shembeshin nga vetë pronarët. Shumë qytetarë, ndërtimet e të cilëve mund të prishen ditët në vazhdim, shprehen kundër projektit të qendrës së qytetit. Sipas tyre, prishja e objekteve po bëhet në mënyrë të njëanshme.

Me shpresë se do t’i shpëtojnë prishjes së ndërtimeve, shumë pronarë biznesesh kanë depozituar kërkesat e tyre pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Shkodrës për shqyrtim të rasteve. Derisa gjykata të dalë me një vendim zyrtar për prishjen ose jo të disa objekteve, Bashkia Malësi e Madhe dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit e kanë të pamundur që t’i hapin rrugë të mëtejshme projektit të qendrës së Koplikut.

Ky projekt i Ministrisë së Zhvillimit Urban përfshin restaurimin e plotë të qendrës së qytetit, ndërsa afati i përfundimit është parashikuar që të jetë muaji qershor. Megjithatë, në bazë të ecurisë së punimeve duhen edhe disa muaj deri në përfundimin e plotë të projektit. Deri atëherë, edhe drejtuesit e mjeteve do te duhet të përballen më kaosin e krijuar në qendër të qytetit të Koplikut.

Artikulli paraprakLIVADE, BANORËT SHQETËSIM PËR KANALIN E UJRAVË TË ZEZA
Artikulli tjetërVRAU GRUAN, FQINJËT: BEQIR XHILAJ SILLEJ MIRË NË FSHAT