Për shkak se 1 Qershori, Dita e Fëmijëve, bie ditë shkolle për fëmijët, por është edhe ditë pune për prindërit e tyre, hapja zyrtare e Kopshtit të ri Zoologjik do të bëhet ditën e shtunë, më 4 qershor.
Lajmin e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi fëmijët të marrin prindërit dhe gjyshërit dhe të bëhen pjesë e festës në fundjavë.
“Jeni gati për Kopshtin Zoologjik kalamaja? Ditën e shtunë, në 4 Qershor , meqë është fundjavë dhe të gjithë e kemi pushim, merrni prindërit, gjyshen, gjyshin ose një shok apo shoqe, dhe ejani të shohim të gjithë bashkë kafshët e mrekullueshme. Do të mësojmë shumë gjëra të reja, por edhe do të luajmë. Ju pres me padurim”, shkruan Veliaj.
Kopshti Zoologjik i Tiranës iu nënshtrua transformimit të plotë. Kopshti ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve.