Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Vendimi është publikuar një ditë më parë në faqen zyrtare të DASH, ndërsa masa e ndalimit është miratuar nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, pasi ish-zyrtari i lartë i organit të Akuzës në Shqipëri akuzohet për përfshirje në raste të mëdha korrupsioni. Ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht. Përveç Adriatik Llallës, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij, Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.