Kosova aplikon vitin e ardhshëm për statusin e kandidatit në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova në vitin 2017 si prioritet e ka aplikimin për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke folur për këtë aplikim, Hoxhaj ka thënë se sivjet Kosova ka miratuar agjendën evropiane të reformave, në të cilën janë 17 prioritete. Nëse Kosova përfundon me sukses këto 17 prioritete, atëherë i jepet rrugë për aplikimin për statusin e kandidatit. “Në vitin 2017 duhet të jetë prioritet i ynë që të aplikojmë për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Natyrisht se kërkon punë. Disa herë ia kam thënë Mogherimit dhe Hahnit, në fund të këtij viti kemi miratuar agjendën evropiane të reformave. Aty janë 17 prioritete. Unë jam i mendimit që Qeveria, Kuvendi i Kosovës, mediat dhe institucionet tjera duhet t’i kryejnë këto 17 prioritete në vitin 2017. Nëse kjo ndodhë atëherë na shtrohet cili është shpërblimi? Çka marrim?” ka thënë Hoxhaj. “Qëllim strategjik për qytetarët e Kosovës është liberalizimi i vizave, derisa qëllim për shtetin e Kosovës është aplikimi. Kjo duhet të ndërlidhet edhe në agjendën e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Kosova nuk duhet të bëjë kompromise nëse nuk shpërblehet në rrugën evropiane”, ka shtuar ai. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në emisionin Interaktiv të KTV-së , ka thënë se Kosova në vitin e ardhshëm do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës, por ka shtuar se procesi i anëtarësimit mund të zgjasë dy deri në tre vjet. Hoxhaj ka thënë se Kosova ka bërë një studim të fizibilitetit, i cili ka sqaruar në detaje rrugët, mënyrat dhe procedurat e anëtarësimit në KE. Ai ka thënë se Kosova deri më tani nuk ka anëtarësuar shkaku i vendeve që nuk kanë njohur Kosovën, të cilat kanë udhëhequr me Këshillin. “Unë kam qenë në Strasburg disa javë pas marrjes së postit. Kemi bërë një studim të fizibilitetit, i cili në detaje sqaron rrugët dhe mënyrat procedurat se kur Kosova mund të anëtarësohet në Këshillin Evropës. Arsyeja se përse nuk kemi aplikuar sivjet kemi të bëjmë se disa vende mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës kanë udhëhequr me Këshillin e Europës dhe presim që vitin e ardhshëm kur një vend njohës ta marrë udhëheqjen e Këshillit dhe të aplikojmë”, ka thënë Hoxhaj. “Vitin e ardhshëm do të dorëzojmë aplikimin tonë. Anëtarësimi është proces, nuk është akt. Edhe nëse aplikojmë në vitin 2017, do të marrë dy deri në tri vjet për anëtarësim. Sepse nënkupton përmbushje të standardeve, kritereve, reformave të brendshme. Mali i Zi ka pasur një kohë më të shkurtë. Serbia dy vite. Bosnja e Maqedonia tre vite. Përparësia do të ishte që Kosova të anëtarësohet në procesin e Bolonjës”, ka shtuar ai. Hoxhaj në Interaktiv ka folur edhe për dështimin e Kosovës që të anëtarësohet në UNESCO. Ai ka thënë se ky dështim duhet të shihet si i izoluar dhe nuk duhet të shihet si dështim i Kosovës, pasi sipas tij, anëtarësimi i Kosovës është varur nga raporti i forcave ndërkombëtare. “Ne kemi bërë një analizë se çfarë ka ndodhur me aplikimin tonë në UNESCO. Ajo ka qenë një episod që duhet të shihet e izoluar. Aq shumë ka folur për raporti e forcave mes bllokut perëndimor dhe jo perëndimor, që ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO sesa një mossukses direkt i Kosovës”, ka thënë Hoxhaj. “Gjatë këtyre gjashtë muajve takime unë kam kërkuar votën për UNESCO dhe INTERPOL. Në 26 vizita kam kërkuar votën për UNESCO. Nëse aplikojmë, nuk duhet ta kemi një qasje që mund të krijojë debat të brendshëm sepse politika e jashtme nuk është garë sportive, jo gjithë aplikimet bëhen në mënyrë publike”, ka thënë veç të tjerash Hoxhaj. Ministri i Jashtëm ka thënë se Kosova është gati që vitin 2017 të aplikojë në UNESCO. “Nëse ua përshkruaj në detaje punën time sa i takon aplikimit në UNESCO, them se Kosova është e gatshme. Nëse aplikojmë apo jo është punë që duhet të mbetet në konfidencë shtetërore. Por tema të tilla nuk duhet të shndërrohen në tema të mëdha publike, sepse do të ringjallim vendet tjera për aktivizim kundër Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Artikulli paraprakSIGURIA NË FESTË, 500 FORCA POLICIE NË TIRANË
Artikulli tjetërKODHELI DHE FA 300 RRËNJË ULLINJ NË MUAJIN E MBJELLJES SË PEMËVE