Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë u ftuan nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçak do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve. I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.
Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim të Lajçakut dhe shefit të delegacionit të Kosovës, Bislimi. Kosova thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat ishin pajtuar.
Takimet pritet të nisin në mëngjes, por burimet në BE nuk kanë bërë të ditur se deri kur mund të zgjasin.
Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian thonë se është synim që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një gjë të tillë nuk është konfirmuar. Një burim i BE-së ka thënë se “kjo do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e palëve, më saktësisht kryenegociatorëve, për t’u takuar mes vete“ ndërsa BE-ja “gjithsesi ka synim që të ketë edhe takim trepalësh“.
Deri me tash ka ndodhur shpesh që në takimet e dialogut të ketë vetëm takime dypalëshe mes përfaqësuesve të BE-së me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë veç e veç, ndërsa palët kanë refuzuar disa herë që të ketë takime të përbashkëta. Kështu kishte ndodhur edhe herën e fundit kur në Bruksel ishin kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Ata patën takime të ndara me Përfaqësuesin e lartë të BE-së Borrell, por jo edhe mes vete.
Kësaj here ishte presidenti i Serbisë, Vuçiç, ai i cili refuzoi të ketë takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Ka pasur raste kur edhe kryenegociatorët kanë refuzuar të ulen në takime të përbashkëta. Në situata të tilla, lehtësuesit nga ana e BE-së diskutojnë herë me njërën, e pastaj me tjetrën palë, në përpjekje për të afruar qëndrimet. Tensionet në veri të Kosovës që në fund të muajit maj e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave, dhe kanë hequr fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Por, situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale. Serbë lokalë kanë protestuar që nga ajo ditë. Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri, në shkurt të këtij viti në Bruksel, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më pas, në mars, në Ohër janë pajtuar për ankesin e zbatimit të marrëveshjes. Bashkimi Evropian, në këtë fazë, dëshiron ta ringjallë procesin, dhe të kthejë një lloj normaliteti në dialog, në mënyrë që palët të mund të avancojnë drejt normalizimit.
Edhe Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet.