Shteti i Kosovës sot mbush 8 vjeç. Më 17 shkurt të vitit 2008, në një seancë solemne Kosova u shpall shtet i pavarur, që deri në atë kohë administrohej nga UNMIK-u.
Shpalljes së Pavarësisë i ka paraprirë një proces i gjatë dhe i vështirë, qysh nga viti 1989. Por, në këtë 8 vjetor, sfida më e madhe për shtetin e Kosovës për momentin është ajo e kalimit të ngërçit politik. Ku forcat opozitare të Kosovës prej muajash nuk lejojnë zhvillimin e seancave noramle parlamentare, pasi kundërshtojnë dy marrëveshjet, atë të Zajednicës dhe të Demarkacionit. Pikërisht sot, në 8 vjetorin e pavarësisë opozita ka paralajmëruar një protestës, që sipas saj do të jetë masive për rrëzimin e qeverisë së Isa Mustafës. Partitë opozitare kanë vlerësuar se protesta e cila do të mbahet sot, në ora 14:00 do të jetë më masivja që nga paslufta. Shteti më i ri evropian e feston 8-vjetorin me sfida të reja europiane, sic është ajo e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe lëvizja e lirë në zonën Euro. Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Aktivitetiet me rastin e 8 vjetorit të Pavarësisë Në orën 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, hap ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”. Duke filluar nga ora 11:00 bëhen homazhe para varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, ndërkohë që vetëm një orë më pas, në orën 12:00 bëhen homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz. Në orën 12:00 do të ketë aktivitet kulturor. Ansambli SHOTA do të defilojë në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza” dhe “Ibrahim Rugova”. Ndërkaq, në orën 20:00 Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq Baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan. Sa i përket bashkangjitjes së komunave në këto aktivitet, Qeveria ka njoftuar se të gjitha komunat në orën 09:00 bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës. Po ashtu, në ora 10:00, Kuvendet Komunale të mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar. Komuna e Ferizajit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, për të shënuar Ditën e Pavarësisë, përveç seancës solemne të Kuvendit Komunal në orën 09:00, do të bëj homazhe te varrezat e dëshmorëve në orën 10:00. Po ashtu, duke filluar nga ora 11:00, komuna paralajmëron program artistik në Teatrin e Qytetit. Ndërsa, në Bulevardin e qytetit, nga ora 16:00 deri në orën 22:00 mbahet koncert për fëmijë e të rinj ku do të marrë pjesë edhe estrada e qytetit. Ndërkaq, Komuna e Istogut ka njoftuar për aktivitete të shumta për të shënuar Ditën e Pavarësisë. Komuna njofton se nga ora 10:00, fillon programi festiv për fëmijë në qendër të qytetit. Në Komunën e Lipjanit njoftohet se do të dhurohet gjak në fshatin Kraishtë. Aksioni do të fillojë nga ora 11:30 – 16:00 në Xhaminë e Fshatit. Ndërkaq nga Komuna e Mitrovicës njoftojnë se “me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë 17-Shkurtit, DKRS dhe DIEMS, përkatësisht Sektori për Dëshmorë e Invalidë të Luftës dhe Viktima Civile, në bashkëpunim e koordinim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në shenj nderimi dhe respekti për heronjtë dhedëshmorët e komunës, ka paraparë të bëhen homazhe dhe vendosjen e organizuar të buqetave të luleve. Homazhet dhe vendosja e buqetave me lule të freskëta, do të fillojnë në ora 10:00, në varrezat e dëshmorëve në Shipol, për të vazhduar më pastaj tek shtatoret e dëshmorëve Avni Shabani, Artim Jashari, Safe Boletini dhe tek shtatoret e heronjve Isa Boletini, Shemsi Ahmeti dhe Mehë Uka.”