BUXHETI I NJËJTË ME ATË TË VITIT TË KALUAR. Parlamenti i Kosovës do të shqyrtojë në parim projektligjin për buxhetin 2015. Në mbledhjen e së premtes të Komisionit për Buxhet dhe Financa, projektligji për Buxhetin, i riproceduar nga qeveria e re, u shqyrtua në parim dhe u rekomandua për miratim në seancën plenare.
Me synim që projektligji të miratohet brenda vitit, Komisioni njëzëri vendosi që shqyrtimi i tij të bëhet me proçedurë të përshpejtuar.Projektbuxheti i propozuar në Kuvend është i njëjti me atë që është miratuar në 31 tetor nga qeveria e kaluar. Bazuar në vlerësimet makrofiskale, për vitin 2015 janë parashikuar 1 miliard e 576 milionë euro të ardhura, pjesa më e madhe e të cilave do të vijnë nga doganat. Kufiri i shpenzimeve është 1 miliard e 682 milionë euro, me rritje prej 67 milionë euro vetëm për paga, e cila reflekton rritjen që ka ndodhur në vitin 2014.