Situata në veri të Kosovës është një ndër temat kryesore në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet sot në Kishnjev të Moldavisë.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebelstreit bëri të ditur se kancelari Scholz e presidenti Macron do të takohen me presidenten Osmani e presidentin Vuçiç për gjendjen aktuale në veriun e Kosovës.

Ka pasur dhe një takim mes Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të diskutuar mbi situatën në veri të Kosovës. Të pranishëm ka qenë edhe presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe anëtaren serbe të kryesisë së Bosnje Hercegovinës, Željka Cvijanović.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzon presidentin Vuçiç se po mbështet bandat kriminale në veri të Kosovës dhe kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve të ndihmojnë për të ndalur veprimet destabilizuese të Serbisë.

Nga ana tjetër Vuçiç u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.

Deri tani në tri komuna e veriut të Republikës së Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, raportohet se situata është e qetë. Serbët qëndrojnë të grumbulluar para ndërtesave të komunave për të kërkuar sërish largimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave dhe të njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Artikulli paraprakTENSIONET NË VERI TË KOSOVËS, BEGAJ: DHUNA E SERBËVE NDAJ KFOR E PAJUSTIFIKUESHME, NEVOJITET ÇTENSIONIM I SITUATËS
Artikulli tjetërRAMA PAS TAKIMIT ME VUÇIÇ: T’I JEPET FUND ABSURDIT KËRCËNUES, NJOHJE E NDËRSJELLË