JANË PLANIFIKUAR 1 MILIARD E 576 MILIONË EURO, ME NJË RRITJE PREJ RRETH 8.1%.Buxheti i Kosovës 2015 me të ardhura të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, u miratua në seancën plenare të Kuvendit pas shqyrtimit të dytë ditën e sotme.
“Me 69 vota pro, 20 kundër dhe 3 abstenime Kuvendi miratoi Ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015”, konstatoi kryesuesi i seancës plenare, Kadri Veseli.Miratimi në parim i Projektligjit u bë të hënën e para një jave, në 22 dhjetor, me 73 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim, derisa në Kuvendin 120 anëtarësh në sallë ishin të pranishëm 95 deputetë.Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa, gjatë javës shqyrtoi pjesën tabelare të Projektligjit, si dhe të gjitha kërkesat buxhetore të adresuara nga institucionet e pavarura, komunat, ministritë dhe deputetët, i përkrahu kërkesat të cilat u konsideruan të realizueshme dhe ato u inkorporuan në projektbuxhet nëpërmjet amendamenteve.Projektligji, me amendamentet e propozuara, u procedua për shqyrtim në komisionet e tjera kryesore të Kuvendit, para seances së sotme plenare, të fundit për këtë vit, në prag të festës së Vitit të Ri.Duke qenë një çështje urgjente dhe kaluar në procedurë të përshpejtuar, Buxheti i Shtetit 2015 miratohet brenda vitit 2014, edhe pse në këtë vit Kosova humbi shumë kohë duke mos qenë funksional Kuvendi 7 muaj nga vetëshpërndarja në seancën e jashtëzakonshme të 7 majit dhe duke mos u ndërtuar instituiconet deri gjysëm viti pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.