Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e veturave që kanë targat ilegale KM, e që janë riregjistruar nga dhjetori i vitit të kaluar dhe më tej. Kështu tha Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili e akuzoi Serbinë se ka shkelur darkordimin e arritur në nëntor 2022 në Bruksel, sa i përket targave të makinave. Ai konfirmoi se disa makina me targa ilegale KM nuk janë lejuar të hyjnë të mërkurën në territorin e Kosovës, pasi siç tha, ato ishin riregjistruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe riregjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, shkroi Sveçla. “Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, shtoi ai.
Se makina me targa KM (Mitrovica e Kosovës) nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë gjatë 18 janarit e konfirmoi edhe qytetarja Sunçica Mashiq. Ajo tha se në pikën kufitare të Jarinjës nuk është lejuar që të hyjë në Kosovë me makinën me targa KM, pasi i është thënë se veturës i ka skaduar regjistrimi. Ajo tha se disa orë para kësaj, ishte larguar nga Kosova përmes Jarinjës – pikëkalimin kufitar që lidh Kosovën me Serbinë – pa asnjë problem, por gjatë kthimit, pas disa minutash bisedë, autoritetet kufitare i kanë thënë se nuk mund ta vazhdojë rrugën për në Kosovë.